Nafta i rikthehet humbjeve – Rezervat në SHBA rriten me 4.5 mln fuçi javën e kaluar
Çmimet e naftës i janë rikthyer humbjeve në sesionin e sotëm, pasi u rritën me rreth 1% një ditë më parë. Çmimet po gjenden nën presion pasi të dhënat e industrisë të publikuara në SHBA treguan një rritje më të madhe se parashikimet të rezervave gjatë javës së kaluar. Por, mundësitë që OPEC dhe aleraët të ulin më tej prodhimin ka kufizuar humbjet.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 59.3 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 54 dollarë për fuçi. Sipas të dhënave jo zyrtare të Institutit Amerikan të Naftës, rezervat u rritën me 4.5 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 18 tetor, në totalin e 437 milionë fuçive. Analistët parashikonin një rritje me 2.2 milionë fuçi.
Megjithatë, investitorët po presin të dhënat zyrtare që publikohen në vonë gjatë ditës së sotme nga Administrata për Informimin mbi Energjinë. Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës, OPEC, po konsideron uljen e mëtejshme të prodhimit për shkak të parashikimeve për një kërkesë të dobët, gjatë vitit të ardhshëm. OPEC dhe aleatët e tjerë, me në krye Rusinë, që ndryshe njihen si OPEC+, janë angazhuar të ulin prodhimin me 1.2 milionë fuçi në ditë, deri në mars të vitit 2020. Aleatët do të takohen më 5 dhe 6 dhjetor, për të përcaktuar politikat e prodhimit.
Megjithatë, Arabia Saudite, që është de facto lider i OPEC, dëshiron që grupi të fokusohet fillimisht në respektimin e paktit aktual, përpara se të ndërmarrë të tjera shkurtime. Ndërkohë, zbutja e luftës tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, dy ekonomitë më të mëdha në botë dhe dy konsumatorët më të mëdhenj të naftës, gjithashtu po ndihmon në kufizimin e humbjeve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.