Nafta kthehet në rënie – Ngadalësimi i ekonomisë globale, presion mbi çmimet
Çmimet e naftës janë kthyer në rënie në orët e pasdites, duke u tërhequr nga niveli më i lartë për këtë vit, të regjistruar të premten. Megjithatë, paqartësitë politike në disa vende, që mund të dëmtojnë prodhimin, dhe shpresat për sukses në bisedimet SHBA-Kinë, kanë kufizuar humbjet. Investitorët janë të fokusuar edhe te eksportet rekord nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe te të dhënat ekonomike në të gjithë botën, që mund të ushtrojnë presion mbi çmimet.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 66 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 56.3 dollarë për fuçi. Presidenti amerikan Donald Trump, nëpërmjet Twitter-it njoftoi se do të shtyjë hyrjen në fuqi të tarifave të reja ndaj produkteve kineze, përtej datës 1 mars.
Tashmë, investitorët po presin takimin mes Donald Trump dhe presidentit kinez, Xi Jinping, ku mendohet se do të firmoset marrëveshja tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë. Ndërkohë, Goldman Sachs, deklaroi se gjatë dy ose tre muajve të ardhshëm parashikohet qendrueshmëri në tregun e naftës, por për pjesën tjetër të vitit çmimet mund të gjenden nën presion, kryesisht për shkak të rritjes së prodhimit në SHBA.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.