Nafta me ndryshime minimale – Protestat në Iran dhe të dhënat ekonomike mbështesin çmimet

Çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie të lehtë në sesionin e sotëm, ndërsa një ditë më parë prekën nivelin më të lartë që nga viti 2015, kur filloi edhe rënia e çmimeve të lëndëve të para.
Çmimet u mbështetën nga përshkallëzimi i tensionit në Iran dhe nga marrëveshja e OPEC dhe Rusisë për uljen e prodhimit. Gjithashtu, çmimet gjetën një mbështetje edhe nga rritja e tregut të aksioneve në Azi, që prekën nivelin më të lartë në të paktën 10 vitet e fundit.
Të dhënat ekonomike pozitive në Japoni, Gjermani dhe SHBA bënë që tregjet e aksioneve të rriten ndjeshëm gjatë sesionit të kaluar. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 62.1 dollarë për fuçi dhe po qëndron në nivelin më të lartë që nga maji i vitit 2015.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në 68.1 dollarë për fuçi, gjithashtu niveli më i lartë që nga maji i vitit 2015. Ndërkohë, i ftohti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka rritur kërkesën për energji në terma afatshkurtër, në mënyrë të veçantë për naftën që përdoret për ngrohje.
Analistët shprehen se, tensionet gjeopolitike në Iran do të mbështesin çmimet në terma afatshkurtër. Forcat Revolucionare të Iranit kanë nxjerrë trupa shtesë në tre provincat kryesore të Iranit, ku edhe protestat anti-qeveritare kanë qenë më të dhunshme.
Përsa i përket të dhënave të këtij tregu, rezervat e naftës në SHBA ranë me 5 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 29 dhjetor, në totalin e 427.8 milionë fuçive.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.