Nafta ndryshon minimalisht – Investitorët të fokusuar te tensioni SHBA-Iran
Çmimet e naftës po ndryshojnë minimalisht gjatë sesionit të sotëm, pasi fokusi i investitorëve është zhvendosur te rreziku i furnizimit të tregut, për shkak të përshkallëzimit të tensioneve mes SHBA dhe Iranit. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 72.8 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 67.6 dollarë për fuçi.
Më herët gjatë sesionit të së hënës, presidenti amerikan Donald Trump, paralajmëroi për pasojë të rënda për Iranin, nëse kërcënon Shtetet e Bashkuara. Irani ka qenë nën presion të SHBA, për shkak se administrata Trump ka vendosur sanksione ndaj Teheranit zyrtar, që pritet të hyjnë në fuqi në nëntor. Arabia Saudite, ndërkohë, dhe prodhuesit e tjerë të mëdhenj po rrisin prodhimin për t’ju përgjigjur rënies së eksporteve, ndërkohë që nëntori po afron.
Gjithashtu, investitorët janë të shqetësuar për impaktin e luftës tregtare në ekonominë globale. Tensioni ishte i dukshëm mes Kinës dhe SHBA edhe gjatë fundjavës në takimin e ministrave të financave dhe guvernatorëve të G20, që u zhvillua në Argjentinë.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.