Nafta në 118 dollarë, niveli më i lartë që nga 2013 – Tendenca pritet në rritje, SHBA dhe Britania sanksione ndaj sektorit rus të energjisë

Nafta u mbyll në rritje në sesionin e fundit të javës, duke prekur sërish nivelin më të lartë në disa vite. Çmimet vijojnë të mbështeten nga lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, pasi blerësit po përpiqet të shmangin kontratat me Rusinë, që është eksportuesi i dytë më i madh i naftës në botë. Çmimet publikuan fitimet më të mëdha javore që nga mesi i vitit 2020, me Brentin e Londrës që u rrit me 21%, ndërsa nafta Bruto amerikane me 26%. Në këtë mënyrë, bençmarkët kryesorë janë ngjitur pranë niveleve të regjistruara në 2008 dhe 2013.
Që kur filloi konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës dhe sidomos pas sanksioneve të vendosura nga Perëndimi, çmimet janë rritur ndjeshëm. Nëse konflikti do të vazhdojë zinxhiri i furnizimit global mund të çrregullohet edhe më tej. Nafta Brent e Londrës e mbylli javën në 118 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane në rreth 115.5 dollarë për fuçi. Për naftën Brent ky është niveli më i lartë që nga viti shkurti i vitit 2013 dhe për naftën bruto, niveli më i lartë që nga shtatori i vitit 2008.
Rusia eksporton 4-5 milionë fuçi naftë në ditë, duke u bërë eksportuesi i dytë më i madh në botë pas Arabisë Saudite. Dhe mesa duket situata e vështirë do të vazhdojë. Administrata e Joe Biden, nën presionin e ligjvënësve nga të dyja partitë e mëdha, deklaroi se po konsideron mundësitë për të ulur importet e naftës ruse, por në anën tjetër po përpiqet të minimizojë impaktin te konsumatorët.
Gjithashtu, edhe Britania e Madhe do të shënjestrojë me sanksionet e radhës pikërisht sektorin rus të energjisë. Sipas një sondazhi të realizuar nga Reuters, shumica e amerikanëve e mbështesin idenë e ndalimit të importeve nga Rusia, me rreth 80% të të anketuarve që deklarojnë se SHBA duhet të mos blejë naftën ruse.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.