Nafta, në nivelin më të lartë në 3 javë – Mbështetet nga lufta në Ukrainë dhe sanksionet shtesë ndaj Rusisë!

Nafta po qëndron në nivelin më të lartë në 3 javët e fundit, për shkak të shqetësimeve se furnizimi i tregut do të çrregullohet, për shkak të luftës në Ukrainë dhe pritshmërive se Perëndimi do të vendosë sanksione edhe ndaj naftës ruse. Nafta Brent e Londrës, që është bençmarku global, po tregtohet në rreth 112 dollarë për fuçi, ndërsa nafta bruto amerikane po tregtohet në rreth 107 dollarë për fuçi.
Luhatjet përgjatë ditës së sotme pritet të jenë të vogla, për shkak se shumica e tregjeve në Europë dhe SHBA janë pushim, me rastin e Pashkëve. Gjatë javës së kaluar, ndërkohë, nafta u rrit ndjeshëm, pasi Bashkimi Europian mund të fillojë edhe ndalimin e importeve në naftës nga Rusia. Komisioni Europian po përgatit një projektligj mbi këtë vendim, por Gjermania nuk po e mbështet shumë një embargo të menjëhershme.
Ndërkohë, luftimet në Ukrainë janë përshkallëzuar gjatë fundjavës, ndërsa ushtarët refuzuar thirrjen e Rusisë për tu dorëzuar në portin e Mariupolit. Ndër zhvillimet e tjera, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë paralajmëroi se 3 milionë fuçi naftë në ditë nga Rusia mund t’i mungojnë tregun, duke filluar nga maji, për shkak të sanksioneve. Prodhimi në Rusi ka filluar tendencën në rënie edhe në prill. Në anën tjetër, të dhënat e OPEC treguan se prodhimi i naftës nga karteli u rrit me vetëm 57 mijë fuçi në ditë, gjatë marsit, në totalin e 28.56 milionë fuçi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.