Nafta, në nivelin më të lartë në 7 vite! – Sulmi tek depot e naftës në Emiratet e Bashkuara shton problemet e ofertës

Çmimet e naftës u rritën me mbi 1.5% në tregtinë e së Martës, në nivelin më të lartë në 7 vite, prej shqetësimeve mbi ndërprerje të mundshme pas një sulmi të grupit Houthi të Yemenit në Emiratet e Bashkuara Arabe, që rriti armiqësinë mes grupit të dyshuar nga Irani dhe koalicionit të drejtuar nga Arabia Saudite. Tensionet e reja gjeopolitike erdhën shtesë ndaj problemeve në lidhje me ofertën në treg. Nafta Brent që kuotohet në bursën e Londrës, u rrit me 1.6% në 87.85 dollarë për fuçi, ndërsa nafta bruto amerikane, u rrit me 2%, në 85.53 dollarë për fuçi.
Të dy çmimet referencë në botë u rritën në nivelet më të larta që prej Tetorit 2014. Pas sulmit me dron dhe predha, që shkaktuan shpërthime në cisterna të karburantit dhe lanë 3 persona të vdekur, rebelët Houthi paralajmëruan se mund të shënjestrojnë më shumë njësi të naftës. Emiratet e Bashkuara Arabe nga ana tjetër, bënë të ditur se kanë marrë të drejtën për të reaguar ndaj këtyre sulmeve terroriste. Firma e naftës ADNOC, theksoi se ka aktivizuar planet e vazhdimësisë së biznesit për të siguruar ofertë të pandërprerë të produkteve tek klientët lokalë dhe ndërkombëtarë, pas incidentit tek depo e karburantit Mussafah.
Analistët thonë se çmimet e naftës po mbështeten gjithashtu nga temperaturat e ftohta të Dimrit në Hemisferën e veriut, që kanë nxitur kërkesën për ngrohje. Disa prodhues brenda Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës po hasin vështirësi për të prodhuar brenda kapaciteteve të lejuara, për shkak të investimeve të pamjaftueshme dhe ndërprerjeve. Organizata, së bashku me vendet aleate si Rusia, që njihen si OPEC+, ka rënë dakord të shtojë prodhimin me 400,000 fuçi në ditë çdo muaj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.