Nafta, në një vit të zymtë/ Rritja e çmimeve “ndalon” në 2019, pavarësisht sanksioneve!

Çmimet e naftës janë rritur me më shumë se 20% këtë vit, por nuk ka patur luhatje të mëdha dhe mezi u arrit 70 dollarëshi për fuçi, pavarësisht sulmeve tek prodhuesi më i madh në botë, sanksioneve që kanë paralizuar ofertën tek dy vende anëtare të OPEC dhe uljes së dërgesave nga karteli. Rritja e çmimeve ka ndodhur në tremujorin e parë 2019, pavarësisht goditjeve në ofertë në muajt e ardhshëm. Çmimet pritet të qëndrojnë të dobëta në vitin 2020, ndërkohë që rritja e dërgesave kryesisht nga SHBA, do të kompensojë uljet në prodhim nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës. Nafta bruto amerikane po e mbyll vitin me një rritje prej 35%.
Që prej fundit të muajit Mars, indeksi është rritur me vetëm 3%. Nafta Brent e Londrës ka shtuar 26%, por është rritur me vetëm 1% pas tremujorit të parë. Investitorët thonë se prodhimi i lartë në SHBA dhe kërkesa e dobët, kanë limituar rritjen e çmimeve. Shtetet e Bashkuara pritet të kthehen në një eksportues neto të naftës për të parën herë në vitin 2020. Shqetësimet e investitorëve për kërkesën pritet të vazhdojnë edhe në vitin e ardhshëm, veçanërisht prej urgjencës për veprime mbi ndryshimin klimatik. Administrata e Informacionit për Energjinë në SHBA, pret që çmimet mesatare të naftës bruto të jenë më të ulëta në 2020, për shkak të rritjes së inventarëve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.