Nafta në performancë mikse – Çmimet gjenden nën presion nga Arabia Saudite dhe Rusia
Çmimet e naftës po tregtohen në tendencë të kundërt në sesionin e sotëm, por vijojnë të gjenden nën presion për shkak të pritshmërive se, Arabia Saudite dhe Rusia do të rrisin prodhimin e naftës, për të shmangur një rënie të ndjeshme të furnizimit.
Nafta Bruto amerikane është në rënie të konsiderueshme, me rreth 1.5%, dhe po tregtohet pranë 66.8 dollarëve për fuçi. Ndërsa nafta Brent e Londrës është në rritje me rreth 0.4% dhe tregtohet pranë 75.6 dollarëve për fuçi.
Shqetësimet se, Arabia Saudite dhe Rusia do të rrisin prodhimin i kanë vendosur çmimet e naftës nën presion. Paralelisht, edhe rritja e vazhdueshme e prodhimit në SHBA po ushtron presion mbi çmimet.
Sipas analistëve prodhuesi më i madh dhe eksportuesi më i madh i naftës mund të rrisin prodhimin me rreth 1 milionë fuçi në ditë, për të kompensuar rënien e prodhimit në Venezuelë dhe Iran.
Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe prodhuesit e tjerë që nuk janë pjesë e organizatës do të takohen në Vjenë më 22 qershor për të vendosur mbi politikat e naftës.
Ndërkohë, diferenca mes naftës Brent të Londrës dhe naftës Bruto amerikane është ngushtuar lehtë në rreth 8.7 dollarë.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.