Nafta, në rënie modeste – Tensioni Iran-Arabi Saudite rrit çmimet me 3% të hënën

Çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie të lehtë në sesionin e sotëm, ndërsa një ditë më parë publikuan fitimet më të mëdha ditore në gjashtë javët e fundit.
Në sesionin e së hënës, çmimet u mbështetën nga lëvizja e princit të kurorës në Arabinë Saudite, në luftën kundër korrupsionit dhe nga rritja e tensionit midis mbretërisë dhe Iranit. Nafta Bruto amerikane po qëndron në rënie të lehtë dhe tregtohet në rreth 57.3 dollarë për fuçi, ndërsa në sesionin e kaluar publikoi fitime prej rreth 3%, fitimet më të mëdha ditore që nga fundi i shtatorit.
Ndërkohë, nafta Brent e Londrës po tregtohet pranë 64 dollarëve për fuçi. Në sesionin e kaluar, nafta Brent u rrit me rreth 3.5%. Që nga fundjava e kaluar, princi i kurorës në Arabinë Saudite, që supozohet të jetë mbreti i ardhshëm, urdhëroi një aksion të gjerë kundër korrupsionit, ku u arrestuan anëtarë të familjes mbretërore, ministra dhe investitorë, duke përfshirë edhe miliarderin, Alëaleed bin Talal dhe kreun e Gardës Kombëtare, Princin Miteb bin Abdullah.
Gjithashtu, edhe tensionet mes Arabisë Saudite dhe Iranit janë rritur më tej. Koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite, që lufton kundër lëvizjes Houthi në Jemen, tha se po mbyll të gjitha kalimet në Jemen, duke përfshirë ajrin, detin dhe tokën.
Gjithashtu, një mbështetje konstante për çmimet e naftës po e ofron vendimi i OPEC dhe vendeve të tjera, për të ulur prodhimin me 1.8 milionë fuçi në ditë, nga janari i këtij viti deri në mars të 2018.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.