Nafta në rënie, pas tre ditësh në rritje – Investitorët e zhvendosin fokusin te infektimet me variantin Delta

Nafta i është rikthyer humbjeve në sesionin e sotëm, pas tre ditësh me radhë në rritje, pasi fokusi i investitorëve është zhvendosur sërish me rritja e infektimeve me Covid-19. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 71.5 dollarë për fuçi, ndërsa në sesionin e kaluar u rrit me 1.7%. nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 67.5 dollarë për fuçi, pas rritjes me 1.2% një ditë më parë.
Shpërthimet e reja të infektimeve me variantin Delta po rrisin shqetësimet mbi fuqinë e rimëkëmbjes së ekonomisë globale, që mund të dëmtojë kërkesën për naftë dhe për lëndët e tjera të para. Referuar të dhënave në SHBA, rezervat e naftës bruto ranë gjatë javës së kaluar, për të tretën javë me radhë, njoftoi Administrata për Informimin mbi Energjinë. Gjithashtu, kërkesa për karburante u rrit në nivelin më të lartë që nga marsi i vitit 2020.
Rezervat e naftës bruto ranë me 3 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 20 gusht, ndërsa analistët parashikonin një rënie me 2.7 milionë fuçi. që nga e mërkura e javës së kaluar, dy bençmarkët kryesorë kanë fituar mbi 10% të vlerës, të mbështetur nga zjarri që përfshiu një rafineri në Gjirin e Meksikës, ku gjetën vdekjen 4 punëtorë, ndërsa prodhimi u shkurtua me rreth 400 mijë fuçi në ditë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.