Nafta, në rënie të konsiderueshme – Rritja e prodhimit në SHBA dhe Irak, presion mbi çmimet

Çmimet e naftës kanë rënë ndjeshëm në sesionin e parë të tetorit, madje nafta Brent e Londrës ka zbritur poshtë nivelit teknik prej 56 dollarë për fuçi. Rritja e aktivitetit të shpim-kërkimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe prodhimi më i lartë nga OPEC ka ndikuar në rënien e çmimeve.
Megjithatë në periudhën Korrik-Shtator, nafta Brent realizoi tremujorin e tretë më të mirë në 13 vitet e fundit. Kompanitë energjetike në SHBA shtuan aktivitetin për herë të parë në shtatë javët e fundit, ndërsa Iraku raportoi se, eksportet u rritën gjatë shtatorit. Gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, çmimet u mbështetën nga ulja e mbifurnizimit të tregut, që ka vënë çmimet nën presion për tre vite me radhë.
Që nga fillimi i këtij viti e deri në mars të 2018, OPEC është angazhuar të ulë prodhimin me 1.8 milionë fuçi në ditë për të balancuar raportin kërkesë-ofertë. Por, prodhuesit në Lindjen e Mesme janë të shqetësuar se, kjo marrëveshje po kërcënohet nga rritja e prodhimit të naftës argjilore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. OPEC shprehet se, çmimet do të rritet vetëm nëse prodhuesit amerikanë zvogëlojnë prodhimin.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.