Nafta, në rritje me mbi 8% për këtë javë – Kompanitë në Gjirin e Meksikës pezullojnë prodhimin, pritet uragan i fuqishëm

Nafta po qëndron në rritje në sesionin e fundit të javës, për shkak të shqetësimeve se tregu mund të përballet me çrregullime në terma afatshkurtër. Kompanitë amerikane të energjisë kanë filluar të ulin prodhimin në Gjirin e Meksikës, pasi pritet që një uragan i fuqishëm ta godasë këtë zonë gjatë fundjavës.
Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 68 dollarë për fuçi, ndërsa përgjatë kësaj jave ka fituar rreth 8% të vlerës, rritja më e madhe që nga shkurti i këtij viti. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 71.8 dollarë për fuçi dhe gjatë kësaj jave është rritur me më shumë se 9%, fitimet më të mëdha javore që nga qershori i vitit 2020.
Kompanitë kanë filluar evakuimin e punonjësve nga platformat e naftës në Gjirin e Meksikës, ndërsa prodhimi është perzulluar për shkak se një stuhi është krijuar në Karaibe dhe pritet të godasë gjirin gjatë fundjavës. Prodhimi në Gjirin e Meksikës përfaqëson rreth 17% të prodhimit total të naftës në Shtetet e Bashkuara dhe 5% të gazit të lëngshëm natyror.
Analistët parashikojnë se edhe ecuria e dollarit amerikan do të jetë një faktor që do të ndikojë në tregun e naftës, pasi presidenti i Rezervës Federale, Jerome Poëell, pritet të japë më tepër detaje mbi politikat monetare, sidomos mbi programin e blerjes së bonove.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.