Nafta, në rritje të lehtë – Fitimet kufizohen nga përhapja e infektimeve me variantin Delta

Nafta po qëndron në rritje në sesionin e sotëm, duke i thënë fund serisë së humbjeve për katër ditë me radhë. Por, fitimet po kufizohen nga rritja e infektimeve me variantin Delta të Covid-19, që mund të dëmtojë kërkesën për naftë. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në mbi 69 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 67 dollarë për fuçi.
Të dy bençmarkët humbën rreth 1% të vlerës në sesionin e kaluar. Analistët shprehen se kërkesa për naftë gjatë korrikut ka qënë e dobët, kryesisht si pasojë e ngadalësimit të prodhimit industrial dhe të shitjeve në Kinë. Në Indi, ndërkohë, që është importuesi i tretë më i madh i naftës në botë, Rezerva Strategjike e Naftës ka filluar shitjet për kompanitë shtetërore, sipas strategjisë së re për të komercializuar rezervat.
Gjithashtu, një dollar më i fortë po ushtron presion mbi tregjet e lëndëve të para, pasi i bën më të shtrenjta për zotëruesit e monedhave të tjera, duke goditur kërkesën. Gjithashtu, fitimet po kufizohen nga rritja e prodhimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vetëm prodhimi i naftës argjilore parashikohet të rritet në 8.1 milionë fuçi në ditë, gjatë shtatorit, niveli më i lartë që nga prilli i vitit 2020, referuar të dhënave të Administratës për Informimin mbi Energjinë.
Investitorët po presin edhe të dhënat zyrtare mbi rezervat e naftës në SHBA, gjatë javës së kaluar. Analistët e anketuar nga Reuters parashikojnë një rënie të rezervave me 1.1 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 13 gusht.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.