Nafta, përsëri në rënie- Lëvizje modeste prej premtimeve për ndërhyrje nga OPEC
Nafta vazhdoi rënien ditën e Martë, duke limituar rritjen modeste që u regjistrua në fund të sesionit të kaluar, kryesisht prej projeksioneve të dobëta për kërkesën. Nafta Brent e Londrës ra me 0.8% në 58.09 dollarë për fuçi, ndërsa nafta bruto amerikane humbi 41 cent në 54.5 dollarë për fuçi.
Pavarësisht se perspektiva është e dobët, çmimet e naftës kanë ndaluar luhatjet këtë javë, pas reagimit të Arabisë Saudite, që bëri të ditur se do të ndërhyjë në treg për të mbështetur çmimet.
Arabia Saudite, që është lideri i Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës, deklaroi javën e kaluar se planifikon të kufizojë eksportet poshtë 7 milionë fuçi në ditë në Gusht dhe Shtator, që të konsumohen inventarët botëror të naftës.
Analistët presin që vendi të mbështesë çmimet e naftës përpara se gjiganti Saudi Aramco të listohet në bursë, që dotë jetë edhe oferta publike fillestare më e madhe në botë. Kompania është gati për t’i listuar, por afati do të vendoset nga aksioneri kryesor, që është Qeveria arabe. OPEC dhe vendet aleate, që njihen si OPEC+, kanë rënë dakord të heqin 1.2 milionë fuçië në ditë nga tregu që prej 1 Janarit.
Megjithatë, rritja gjigante e prodhimit në SHBA, vazhdon të sfidojë përpjekjet e organizatës për të frenuar ofertën.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.