Nafta i rikthehet fitimeve – Çmimet mbështeten nga rritja e fortë ekonomike
Çmimet e naftës po qëndrojnë në rritje në sesionin e sotëm, për shkak të përmirësimit të rritjes ekonomike globale dhe respektimit të marrëveshjes për uljen e prodhimit nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe Rusisë, me 1.8 milionë fuçi në ditë.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 69.4 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 63.9 dollarë për fuçi. Tregtarët shprehen se, tregu i naftës po mbështetet nga rritja e fuqishme ekonomike globale.
Fondi Monetar Ndërkombëtar rishikoi në rritje parashikimin për ekonominë gjatë këtij viti dhe gjatë vitit 2019, në 3.9% për secilin vit, 0.2 pikë përqindje më shumë se vlerësimi i mëparshëm.
Por në anën tjetër, ekziston edhe shqetësimi për rritjen e prodhimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbi 10 milionë fuçi, gjatë tremujorit të parë të këtij viti.
Ndërkohë, banka Barclays parashikon një çmim mesatar prej 60 dollarë për fuçi për naftën Brent, gjatë këtij viti, që nënkupton se tendenca e çmimeve mund të jetë në rënie.
Në terma afatgjatë, investitorët po përgatiten për një kërkesë më të ulët për naftë, për shkak të rritjes së përdorimit të automjeteve elektrike.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.