Nafta i rikthehet fitimeve – Java pritet të mbyllet në rënie të lehtë

Çmimet e naftës janë në rritje në sesionin e sotëm, por megjithatë pritet të publikojnë humbje javore, në mbyllje të tregtisë. Gjithsesi, fitimet janë kufizuar nga hezitimi i Rusisë, për të mbështetur shtyrjen e marrëveshjes për uljen e prodhimit, përtej marsit të vitit 2018.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet pranë 62 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane tregtohet pranë 56 dollarë për fuçi. Analistët mendojnë se, pas 5 ditësh në rënie të vazhdueshme, çmimet u përballen edhe me një korrektim në sesionin e fundit të javës. Gjatë muajve të fundit, marrëveshja e OPEC dhe vendeve të tjera, me në krye Rusinë, për të ulur prodhimin mbështeti çmimet e naftës. Tashmë, këto vende do të takohen më 30 nëntor, për të përcaktuar politikat e ardhshme të naftës.
Por, frika që ka të bëjë me hezitimin e Rusisë për shtyrjen e marrëveshjes së uljes së prodhimit ka ndikuar te çmimet. Në një njoftim për klientët e saj, banka amerikane e investimeve, Jefferies, deklaron: “Mbështetja e Rusisë për shtyrjen e uljes së prodhimit, në takimin e ardhshëm të OPEC është vënë në pikëpyetje. Në anën tjetër, Arabia Saudite ka shprehur vullnetin për të mbështetur shtyrjen e marrëveshjes për uljen e prodhimit, pasi ministri i energjisë në këtë vend, deklaroi se objektivi për të reduktuar tepricën në treg, nuk do të arrihet sipas vlerësimeve paraprake. “Duhet të kuptojmë se, deri në fund të marsit të vitit 2018, nuk do të jemi në pikën që dëshirojmë. Kjo nënkupton se, është e nevojshme një shtyrje e afatit”, deklaroi ministri i energjisë në Arabinë Saudite,
Khalid al-Falih. Por, pengesa kryesore e OPEC në balancimin e tregut është rritja e prodhimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që ka prekur një nivel rekord prej 9.65 milionë fuçi në ditë.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.