Nafta i rikthehet fitimeve – Rënia e rezervave në SHBA mbështet çmimet
Çmimet e naftës i janë rikthyer fitimeve në sesionin e sotëm, pas humbjeve të konsiderueshme një ditë më parë, për shkak të të dhënave që treguan një rënie të rezervave të naftës bruto në SHBA.
Gjithashtu edhe mbyllja për një kohë më të gjatë, e tubacionit Forties në Detin e Veriut nga mbështetur çmimet. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 63.6 dollarë për fuçi, pas rënies me 2.1% në sesionin e së martës. Rënia në orët e pasdites të ditës së ndjeshme u ndikua nga tërheqja e fitimeve nga investitorët, pasi në orët e paradites nafta u rrit ndjeshëm, për shkak të lajmeve për mbylljen e tubacionit në Detin e Veriut, që transporton rreth 450 mijë fuçi në ditë drejt Britanisë. Ndërkohë, nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 57.4 dollarë për fuçi.
Tubacioni më i madh i transportimit të naftës dhe gazit nga Deti i Veriut në Britani, do të qëndrojë i mbyllur për disa javë, për shkak të riparimeve, deklaroi operatori i këtij tubacioni. Ky tubacion është mjaft i rëndësishëm për tregjet globale të naftës, pasi është më i madhi ndër 5 tubacionet që transportojnë naftë dhe përcaktojnë ecurinë e naftës Brent, sipas standardeve ndërkombëtare.
Në përgjigje të kësaj situate, kompanitë më të mëdha si, BP dhe Royal Dutch Shell, deklaruan se kanë mbyllur rafineritë e tyre. Ndërkohë, për sa i përket të dhënave, grupi industrial, Instituti Amerikan i Naftës deklaroi se, rezervat e naftës bruto në SHBA ranë me 7.4 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 8 dhjetor.
Ndërsa analistët parashikonin një rënie të rezervave me 3.8 milionë fuçi. Në anën tjetër, rezervat e benzinës u rritën me 2.3 milionë fuçi, kundrejt parashikimeve të analistëve për një rritje me 2.5 milionë fuçi.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.