Nafta i rikthehet fitimeve – Volum i ulët për shkak të mungesës së tregtisë në SHBA

Çmimet e naftës janë ngjitur sërish në nivelin më të lartë në 2 vitet e fundit, për shkak të mbylljes së tubacionit Keystone, që lidh fushat naftëmbajtëse kanadeze me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithsesi, në treg po ndikon edhe tregtia e pjesshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak të se Premtes së Zezë.
Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 58.5 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga korriku i vitit 2015. Aktiviteti tregtar ka qenë i ulët përgjatë sesionit të fundit të kësaj jave, për shkak të Ditës së Falënderimeve në SHBA.
Ndërkohë, nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 63.6 dollarë për fuçi, ndërsa gjatë tregtisë aziatike pjesën më të madhe të sesionit qëndroi në territor negativ. Sipas analistëve, mbyllja e tubacionit Keystone po mbështet naftën Bruto amerikane, duke rritur edhe kontratat “futures” të muajit janar.
Çmimet po gjejnë një mbështetje të vazhdueshme edhe nga vendimi i OPEC për të ulur prodhimin me 1.8 milionë fuçi në ditë, nga janari i këtij viti deri në mars të vitit të ardhshëm. OPEC do të takohet më 30 nëntor dhe parashikohet një shtyrje e kësaj marrëveshjeje. Por, Rusia ka dërguar mesazhe, se mund të jetë kundër shtyrjes, por do të kërkojë një strategji të daljes.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.