Nafta i rikthehet humbjeve – Rihapja e tubacionit Forties rrëzon çmimet

Çmimet e naftës i janë rikthyer humbjeve në sesionin e sotëm, pas fitimeve me rreth 2% në sesionin e kaluar. Megjithatë, dy bençmarkët kryesorë po qendrojnë pranë nivelit më të lartë në 2 vite e gjysmë. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 59.8 dollarë për fuçi, ndërsa në sesionin e kaluar ngjit përmbi 60 dollarë, për herë të parë që nga qershori i vitit 2015.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 66.8 dollarë për fuçi, ndërkohë një ditë më parë u rrit deri në 67 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga maji i vitit 2015. Në sesionin e kaluar, investitorët reaguan ndaj shpërthimit në një tubacion nafte në Libi, që ka një kapacitet prej rreth 90 mijë fuçi në ditë.
Por, në ditën e sotme ka filluar gradualisht puna për hapjen e tubacionit Forties, që transporton rreth 450 mijë fuçi në ditë, nga Deti i Veriut drejt Britanisë së Madhe. Megjithatë, volumi i shkëmbimeve tregtare në sesionin e së martës ka qenë i ulët, për shkak se bursa e Londrës qendroi pushim, me rastin e një feste kombëtare.
Referuar të dhënave të Administratës për Informimin mbi Energjinë, rezulton se, tregu ka filluar të balancohet që nga viti 2016, ndërsa gjatë këtij viti ka kaluar në një deficit të lehtë, për shkak të angazhimit të OPEC dhe Rusinë për të ulur prodhimin me 1.8 milionë fuçi në ditë.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.