Nafta rikthehet në rënie – Investitorët tërheqin fitimet e dy javëve të fundit
Çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie në sesionin e sotëm, pas 3 ditësh në rritje. Megjithatë humbjet po kufizohen nga ulja e prodhimit nga vendet anëtare të OPEC, tensioni në Lindjen e Mesme dhe prodhimi i ulët në SHBA.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet pranë 57.4 dollarëve për fuçi, dhe gjendet rreth 30% më lart se niveli mesatar i këtij viti. Ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 51.3 dollarë për fuçi, rreth 25% mbi nivelin minimal të regjistruar në qershor të këtij viti.
Analistët shprehen se, një arsye tjetër që po rrëzon çmimet është edhe fakti se investitorët po tërheqin fitimet e 2 javëve të fundit.
Referuar të dhënave të publikuara, Administrata për Informimin mbi Energjinë deklaroi se, rezervat e naftës bruto në SHBA ranë me 5.7 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll në 13 Tetor, në totalin e 456.49 milionë fuçive.
Në anën tjetër, prodhimi në rafineritë amerikane ra me 11%, krahasuar me javën paraardhëse, në 8.4 milionë fuçi në ditë, niveli më i ulët që nga qershori i vitit 2014.
Gjithashtu, luftimet në Lindjen e Mesme kanë shtuar rrezikun për dëmtimin e prodhimit nga zonat kryesore të Irakut, që është prodhuesi i dytë më i madh i OPEC, pas Arabisë Saudite.
Analistët shprehen se, 5 vende prodhuese të naftës, Irani, Iraku, Libia, Nigeria dhe Venezuela që ndryshe njihen edhe si “5 të brishtët”, mund të shkaktojnë çrregullime në furnizimin e tregut.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.