Nafta rikuperon një pjesë të humbjeve – Çmimet rriten mbi 3% përpara takimit të OPEC ku do diskutohet Omicron

Çmimet e naftës janë rritur me mbi 3% në tregtinë e së Mërkurës, duke rikuperuar një pjesë të madhe të humbjeve të sesionit të kaluar, ndërkohë që prodhuesit e mëdhenj po përgatiten të diskutojnë se si do reagojnë ndaj goditjes në kërkesë nga varianti Omicron i koronavirusit. Nafta brent e Londrës u rrit me 2.46 dollarë apo 3.6%, në 71.69 dollarë për fuçi, pasi humbi rreth 4%në tregtinë e mëparshme.
Nafta Bruto amerikane u rrit me 2.13 dollarë apo 3.2% në 68.31 dollarë për fuçi, pasi humbi mbi 5.4%. Organizata e vendeve Eksportuese të Naftës do të takohet së shpejti për të vendosur nëse do vazhdojë me rritjen graduale të prodhimit. Analistët thonë se OPEC pritet të ndalojë planet për të shtuar 400,000 fuçi në ditë në treg nga Janari, për shkak të pritshmërive të goditjes në kërkesë nga varianti Omicron.
Një faktor tjetër që pritet të ndikojë tek takimi është nxjerrja e rezervave emergjente të naftës nga Shtetet e Bashkuara dhe konsumatorët e tjerë të mëdhenj. Megjithatë, disa ministra të OPEC kanë thënë se nuk ka nevojë që të ndryshohet kursi. Por edhe nëse OPEC bie dakord për të vazhduar me rritjen e prodhimit në Janar, prodhuesit mund të hasin vështirësi. Sipas një sondazhi të Reuters, OPEC ka prodhuar 27.73 milionë fuçi në ditë në Nëntor, në rritje me 220,000 nga muaji i kaluar, por poshtë 254,000 fuçi në ditë rritje që lejohej për vendet anëtare sipas paktit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.