Nafta “rimëkëmbet” lehtë – Çmimet rriten ditën e Martë, por Omicron “nxin” perspektivën

Nafta është rritur në tregtinë e së Martës, pavarësisht se investitorët qëndrojnë të shqetësuar mbi përhapjen e shpejtë të variantit Omicron në botë dhe mundësisë që vendet mund të konsiderojnë më shumë masa kufizuese, duke penguar kërkesën. Nafta Brent e Londrës u rrit me 0.4% në 71.81 dollarë për fuçi, ndërsa nafta bruto amerikane u rrit me 0.7% në 69.1 dollarë për fuçi. Analistët thonë se pas disa ditësh të rënieve, çmimet po rimëkëmben pasi pjesa më e madhe e rrezikut të Covid-19 është futur në ekuacion.
Megjithatë, ndikimi tek rritja ekonomike nga mbyllja e kufijëve është ende e paditur dhe çmimet e naftës qëndrojnë të ndjeshme. Zelanda e re vonoi rihapjen e pritur të kufijëve ndërkombëtarë për shkak të përhapjes së shpejtë të Omicron në botë, ndërkohë që edhe vende të tjera rivenosën masa të distancimti social. Shumë vende janë në alarm, pak ditë përpara Krishtlindjeve dhe festave të vitit të Ri, me Omicron që po shumëfishohet në Europë, SHBA, Azi dhe Japoni, ku një vatër e vogël në një bazë ushtarake është rritur në të paktën 180 raste.
Megjithatë, Moderna rriti pak optimizmin duke thënë se një dozë nxitëse e vaksinës duket se mbron kundër variantit Omicron në testimet në laborator. Në lidhje me ofertën, mbajtja e premtimeve të OPEC ndaj reduktimeve të prodhimit u rrit në 117% në nëntor, nga 116% një muaj më parë, sipas burimeve për Reuters, çka tregon se niveli i prodhimit do të qëndrojë poshtë objektivave. Në SHBA, inventarët e naftës bruto pritet të kenë rënë për të katërtën javë radhazi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.