‘Nafta rritet kryesisht për shkak të gjeopolitikës’ – Deklarata e OPEC në mbledhjen e pranverës të FMN

OPEC i deklaroi komitetit drejtues të Fondit Monetar Ndërkombëtar se rritja e çmimeve të naftës ishte kryesisht për shkak të krizës në Ukrainë, në sinjalin e fundit që grupi i prodhuesve nuk do të ndërmarrë veprime të mëtejshme për të shtuar furnizimin.
Sipas OPEC, çmimi i naftës së papërpunuar Brent ishte mesatarisht afër 98 dollarë për fuçi në tremujorin e parë, rreth 18 dollarë më shumë nga tre muajt e fundit të 2021.
“Çmimet e naftës kanë qenë në rritje, veçanërisht në mars të këtij viti, kryesisht për shkak të përshkallëzimit të tensioneve gjeopolitike në Europën Lindore dhe shqetësimeve që kjo mund të rezultojë në mungesa të mëdha të furnizimit me naftë”, thekson OPEC.
OPEC, u ka rezistuar thirrjeve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian për të nxjerrë më shumë naftë në treg që të ulen çmimet, të cilat arritën një kulm 14-vjeçar mbi 139 dollarë muajin e kaluar pasi Uashingtoni dhe Brukseli vendosën sanksione mbi Moskën për pushtimin e Ukrainës.
OPEC+, i cili përbëhet nga OPEC dhe prodhues të tjerë, përfshirë Rusinë, do të rrisë prodhimin me rreth 432,000 fuçi në ditë në maj, si pjesë e një zbutjeje graduale të shkurtimeve të prodhimit të bëra gjatë periudhës më të keqe të pandemisë COVID-19. OPEC, tha se OPEC+ kishte treguar angazhimin e tij për të siguruar që bazat e ofertës dhe kërkesës për naftë të ishin në ekuilibër gjatë krizës në Ukrainë për të mbështetur ekonominë globale.
OPEC theksoi gjithashtu ndikimin negativ afatshkurtër të krizës në Ukrainë dhe vijimit të pandemisë, duke shtuar se rritja e fortë e çmimeve të mallrave, në kombinim me pengesat e vazhdueshme të zinxhirit të furnizimit dhe kufizimet logjistike të lidhura me COVID-19 po nxisin tashmë inflacion të lartë global.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.