Nafta rritet lehtë – Investitorët, në pritje të sanksioneve amerikane ndaj Iranit
Çmimet e naftës po qendrojnë në rritje të lehtë në sesionin e sotëm, pas dy sesionesh në rënie të konsiderueshme. Rritja vjen në vigjilje të sanksioneve amerikane ndaj Iranit, që hyjnë në fuqi javën e ardhshme. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 76.2 dollarë për fuçi, ndërsa nafta bruto amerikane po tregtohet në rreth 66.4 dollarë për fuçi. Sanksionet e SHBA ndaj Iranit fillojnë në datën 4 nëntor dhe Uashingtoni ja ka bërë të qartë konsumatorëve të Teheranit që të ndalojë blerjen e naftës përtej kësaj date.
Për rrjedhojë, importet e naftës iraniane nga blerësit e mëdhenj aziatikë kanë prekur nivelin më të ulët në 32 muajt e fundit, gjatë Shtatorit. Kina, Korea e Jugut dhe Japonia kanë ulur ndjeshëm blerjen, madje përpara hyrjes në fuqi në sanksioneve. Që nga data 3 tetor, çmimet e naftës kanë rënë me rreth 10 dollarë dhe pritet të realizojnë performancën më të dobët mujore që nga korriku i vitit 2016. Megjithatë, çmimet po gjenden nën presion për shkak të luftës tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë.
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur tashmë tarifa prej 250 miliardë dollarë produkte kineze, ndërsa Kina është përgjigjur me tarifa prej 110 miliardë dollarë produkte amerikane. Në anën tjetër, furnizimi global i tregut po rritet, me tre vendet kryesore, Rusinë, Arabinë Saudite dhe Shtetet e Bashkuara, që prodhojnë se bashku rreth 33 milionë fuçi në ditë. Referuar të dhënave jo zyrtare të Institutit Amerikan të Naftës, rezervat në SHBA u rritën me 5.7 milionë fuçi, gjatë javës së kaluar, mbi parashikimet e analistëve.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.