Nafta rritet lehtë – Tregu ndjek bursat, fitimet kufizohen nga prodhimi në SHBA

Çmimet e naftës po qëndrojnë në rritje të lehtë në sesionin e sotëm dhe po mbështeten nga rritja e tregu të aksioneve. Por, megjithatë fitimet po kufizohen nga pritshmëritë se, oferta do të tejkalojë kërkesën gjatë këtij viti.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 64.7 dollarë për fuçi, ndërsa nafta bruto amerikane po tregtohet në rreth 60.9 dollarë për fuçi.
“Kërkesa globale për naftë parashikohet të rritet, gjatë këtij viti, por në anën tjetër furnizimi i tregut do të rritet me një hap më të shpejtë, duke ndikuar edhe në rritjen e rezervave globale, gjatë tremujorit të parë të 2018’, deklaroi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë.
Tregjet europiane po mbështeten nga fitimet tremujore të korporatave, kryesisht të sektorit financiar. Gjatë 100 ditëve të kaluara, tregu i naftës ka ecur në sinkronizim me tregun e aksioneve, ecuria më e gjatë në 2 vitet e fundit.
Tregu i naftës po gjendet nën presion edhe për shkak të rritjes së prodhimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë javës së kaluar, prodhimi në SHBA regjistroi një tjetër nivel rekord prej 10.38 milionë fuçi në ditë, dhe që nga mesi i vitit 2016 prodhimi është rritur me 23%.
Përsa i përket të dhënave, rezervat tregtare në SHBA u rritën me 5 milionë fuçi, gjatë javës së kaluar, në totalin e 430.93 milionë fuçive. Deri në fund të vitit 2018, prodhimi amerikan i naftës parashikohet të rritet në 11 milionë fuçi në ditë, një nivel i përafërt me Rusinë, prodhuesi më i madh në botë.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.