Nafta rritet ndjeshëm – Rikthehet qetësia por rritet aktiviteti i nxjerrjes në SHBA
Nafta është rritur ndjeshëm në sesionin e parë të kësaj jave, duke rikuperuar një pjesë të humbjeve të javës së kaluar. Rritja e çmimeve vjen për shkak të stabilizimit të tregut të aksioneve.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 63.7 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane është ngjitur sërish mbi nivelin e 60 dollarëve për fuçi.
Në rritjen e çmimeve të naftës ka ndikuar lehtë edhe dobësimi i dollarit amerikan, që i bën produktet që tregtohen me këtë monedhë, më të lira për mbajtësit e monedhave të tjera.
Në anën tjetër, edhe konsumi vijon të jetë i fortë, pavarësisht rritjes së prodhimit të naftës bruto në SHBA.
Analistët mendojnë se, nëse rritja ekonomike globale dhe kërkesa do të ngadalësohen, atëherë rritja e prodhimit të SHBA do të kthehet në një problem të vërtetë për tregun e naftës.
Prodhimi në ekonominë më të madhe në botë u rrit mbi 10 milionë fuçi në ditë, duke tejkaluar edhe Arabinë Saudite.
Përsa i përket të dhënave ekonomike, kompanitë e energjisë në SHBA rritën me 26 njësi numrin e puseve aktive, gjatë javës së kaluar, në totalin e 791 puseve, niveli më i lartë që nga prilli i vitit 2015.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.