Nafta, sesioni i dytë me radhë në rënie / Rritja e infektimeve me variantit Delta shqetëson investitorët

Nafta po qëndron në rënie për të dytin sesion me radhë, për shkak të shqetësimeve mbi ngadalësimin e kërkesës për naftë, si pasojë e shpërthimit të vatrave të reja të variantit Delta të koronavirusit. Autoritetet në shumë vende të botës kanë vendosur masa kufizuese për të parandaluar përhapjen e infeksionit. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 74.3 dollarë për fuçi, ndërsa në sesionin e kaluar ra me 2%. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 72.5 dollarë për fuçi, pas rënies me 1.5% një ditë më parë. Rritja e infektimeve me variantin Delta vjen ndërkohë që Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe aleatët e tjerë me në krye Rusinë, që ndryshe njihen si OPEC+, do të takohen më 1 korrik për të përcaktuar politikat e prodhimit në të ardhmen. Parashikimet e OPEC vlerësojnë se prodhimi global në tremujorin e katërt të vitit do të bjerë poshtë kërkesës me rreth 2.2 milionë fuçi në ditë duke i dhënë prodhuesve hapësira për të shtuar më shumë naftë në treg. Ndërkohë, Spanja dhe Portugalia, që janë destinacionet kryesore të pushimeve në Europë, kanë vendosur kufizime për britanikët e pavaksinuar plotësisht, ndërsa 80% e australianëve përballen me kufizime për shkak të rritjes së infektimeve.
Lidion Kulla – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.