Nafta, sesioni i dytë me radhë në rritje – Çmimet mbështetet nga miratimi i plotë për vaksinën e Pfizer në SHBA

Nafta po qëndron në rritje edhe në sesionin e sotëm, pasi autoritetet rregullatore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë miratim të plotë për vaksinën e Pfizer/BioNTech, kundër Covid-19. Tashmë analistët parashikojnë se kërkesa për naftë do të jetë më e lartë dhe kufizimet si pasojë e rritjes së infektimeve nuk do të jenë të ashpra.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 69.5 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 66.5 dollarë për fuçi. Të dy bençmarkët u rritën me më shumë se 5% në sesionin e kaluar, ndërsa javën e kaluar realizuan humbjet më të mëdha javore në 9 muajt e fundit. Administrata amerikane e Ushqimeve dhe Barnave (FDA), që në dhjetorin e kaluar autorizoi vaksinën me dy doza të Pfizer/BioNtech për përdorim emergjent, tashmë tha aprovimin e plotë për përdorim te personat mbi 16 vjeç.
Zyrtarët e shëndetësisë shpresojnë se vendimi do të bindë amerikanët e pavaksinuar se vaksina është e sigurt dhe efektive. Tashmë, zyrtarët presin që më shumë korporata dhe agjenci qeveritare të forcojnë detyrimin për tu vaksinuar, që do të thotë se më shumë njerëz do të udhëtojnë drejt zyrave të tyre.
Gjithashtu, çmimet po mbështeten nga pritshmëritë se rezervat e naftës bruto dhe të benzinës do të kenë rënë gjatë javës së kaluar. Në anën tjetër, fitimet po kufizohen nga vendimi i Departamentit të Energjisë, që njoftoi se do të shesë rreth 20 milionë fuçi naftë bruto nga rezervat e emergjencës, në përputhje me legjislacionin e miratuar në vitet e fundit.
Klevis Llaha/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.