Nafta, sesioni i gjashtë me radhë në rritje – Goldman Sachs: Brenti do të rritet në 90 USD në fund të vitit

Nafta po qëndron në rritje edhe në sesionin e sotëm, duke publikuar fitime për të gjashtin sesion me radhë. Çmimet vijojnë të mbështeten nga furnizimi i ulët i tregut dhe nga rritja e kërkesës. Nafta Brent e Londrës po tregtohet pranë 80 dollarëve për fuçi, niveli më i lartë që nga tetori i vitit 2018.
Ndërsa, nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 75.8 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga qershori i këtij viti. Të dy bençmarkët u rritën me rreth 2% në sesionin e kaluar. Ndërkohë, qeveria japoneze njoftoi se do të heqë masat e emergjencës shtetërore si pasojë e Covid-19, duke filluar nga 1 tetori, pasi numri i rasteve të reja ka rënë ndjeshëm.
Për shkak të parashikimeve për rritjen e kërkesës, Goldman Sachs vlerëson se nafta Brent mund të rritet në 90 dollarë për fuçi deri në fund të këtij viti, nga 80 dollarë për fuçi që ishte vlerësimi i mëparshëm. Analistët shprehen se edhe rritja rekord e çmimeve të gazit po mbështet tregun e naftës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.