Nafta, sesioni i katërt me radhë në rritje / Fitimet kufizohen nga progresi në bisedimet bërthamore SHBA-Iran

Nafta po qëndron në rritje në sesionin e sotëm, me Brentin e Londrës që publikon fitime për të katërtën ditë me radhë. Në anën tjetër, pritshmëritë për rikthimin e naftës iraniane në tregjet ndërkombëtare kanë kufizuar humbjet. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 73.5 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 71.5 dollarë për fuçi. Bisedimet indirekte mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit për të rikthyer marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 rifilluan të shtunën në Vienë, ndërsa zyrtarët e Bashkimit Europian i cilësuan diskutimet si intensive. Arritja e marrëveshjes do të thotë heqje e sanksioneve ekonomike nga Shtetet e Bashkuara ndaj Teheranit zyrtar. Ndërkohë, vendet anëtare të OPEC dhe aleatët e tjerë me në krye Rusinë, kanë ulur prodhimin për të mbështetur çmimet, gjatë periudhës së pandemisë. Në anën tjetër, prodhimi i naftës argjilore në SHBA parashikohet të rritet me rreth 38 mijë fuçi në ditë, gjatë korrikut, në rreth 7.8 milionë fuçi në ditë, niveli më i lartë që nga nëntori i vitit të kaluar. Ndërkohë, investitorët po presin edhe të dhënat mbi rezervat e naftës gjatë javës së kaluar, në SHBA. Sot publikohet raporti jozyrtar nga Instituti Amerikan i Naftës ndërsa të mërkurën publikohet raporti zyrtar nga Administrata për Informimin mbi Energjinë.
Lidion Kulla – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.