Nafta, sesioni i pestë me radhë në rritje / Mbështetet nga rënia e rezervave në SHBA dhe nga rritja e kërkesës

Nafta po qëndron në rritje në sesionin e sotëm, me Brentin e Londrës që po publikon fitime për të pestin sesion me radhë. Çmimet po mbështeten nga rënia e rezervave të naftës në SHBA dhe nga rimëkëmbja e kërkesës. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 74.5 dollarë për fuçi, ndërsa në sesionin e kaluar u rrit me 1.6%. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 72.8 dollarë për fuçi, pas rritjes me 1.7% një ditë më parë. Rezervat e naftës në SHBA ranë me 8.5 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 11 qershor, sipas raportit jozyrtar të Institutit Amerikan të Naftës. Analistët parashikonin një rënie me 3.3 milionë fuçi. Megjithatë, tregjet po presin të dhënat zyrtare që publikohen në vonë gjatë ditës së sotme nga Administrata për Informimin mbi Energjinë. Ekzekutivët e kompanive më të mëdha të naftës, presin që çmimet të qëndrojnë mbi 70 dollarë për fuçi, ndërsa kërkesa do të rikthehet në nivelet e parakrizës në gjysmën e dytë të vitit 2022. Edhe nëse në treg do të rikthehet nafta e Iranit, sipas analistëve, nuk do të ndryshojë tendenca në rritje e çmimeve.
Lidion Kulla – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.