Nafta, sesioni i tretë me radhë në rënie – Ndikohet nga ngadalësimi i kërkesës në Kinë dhe Japoni

Nafta po qëndron në rënie me mbi 1% në sesionin e sotëm, duke publikuar humbje për të tretën ditë me radhë. Çmimet po gjenden nën presion pasi të dhënat zyrtare treguan një ngadalësim të aktivitetit ekonomik në Kinë, ndërkohë që vatrat e reja të infektimeve me Covid-19 po shpërthejnë në ekonominë e dytë më të madhe në botë. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 69.5 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 67.2 dollarë për fuçi.
Prodhimi në fabrika dhe rritja e shitjeve me pakicë u ngadalësuan ndjeshëm në Kinë, gjatë korrikut, për shkak të infektimeve me Covid-19 dhe përmbytjeve në vend, që kanë dëmtuar aktivitetin e bizneseve. Gjithashtu, edhe përpunimi i naftës bruto gjatë muajit të kaluar ra në nivelin më të ulët që nga maji i vitit 2020, pasi rafineritë ulën kuotat e prodhimit. Kina është importuesi më i madh i naftës në botë. Gjithashtu në Japoni, që është importuesi i katërt më i madh i naftës në botë, analistët parashikojnë një rritje modeste ekonomike, gjatë këtij tremujori, për shkak të kufizimeve, ndërkohë që infektimet me Covid-19 kanë regjistruar nivele rekord.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë deklaroi se rritja e kërkesës për naftë ndryshoi kurs në korrik dhe pritet të ngadalësohet ndjeshëm edhe për pjesën e mbetur të vitit për shkak të rritjes së infektimeve me variantin Delta të koronavirusit.
Klevis Llaha/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.