Nafta shfaqet e qëndrueshme – Ngadalësimi i ekonomisë amerikane, presion mbi çmimet!

Çmimet e naftës po shfaqen të qëndrueshëm në sesionin e sotëm, por megjithatë po gjenden nën presion, pasi presidentja e Rezervës Federale të San Franciscos, Mary Daly, shprehu shqetësime në lidhje me forcën e ekonomisë amerikane. Nafta Brent e Londrës po tregtohet pranë 60 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 55.6 dollarë për fuçi. Shqetësimet për ngadalësimin e rritjes ekonomike, si pasojë e luftës tregtare SHBA-Kinë po ushtron presion mbi naftën.
Daly tha se ekonomia amerikane gjenden në një pozitë të mirë, por paqartësitë dhe ngadalësimi i ekonomisë po japin efekte. Paqartësi të mëdha ka edhe në lidhje me bisedimet SHBA-Kinë mbi tregtinë, pasi ministria e jashtme e Kinës nuk konfirmoi se kishte një telefonatë mes dy vendeve. Në sesionin e kaluar, ndërkohë, çmimet u rritën ndjeshëm pasi edhe të dhënat zyrtare treguan një rënie të konsiderueshme të rezervave të naftës. Sipas Administratës për Informimin mbi Energjinë rezervat ranë me 10 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 23 gusht, kundrejt parashikimeve për një rënie me 2.1 milionë fuçi. Rënia e rezervave konfirmon se marrëveshja e OPEC dhe Rusisë për të ulur prodhimin me 1.2 milionë fuçi në ditë po jep efekt.
Në anën tjetër, edhe prodhimi në SHBA u rrit me 200 mijë fuçi në ditë, gjatë javës së kaluar, në një rekord të ri prej 12.5 milionë fuçi në ditë. Ndërkohë, Morgan Stanley uli parashikimin për ecurinë e çmimeve për pjesën e mbetur të vitit, duke cituar dobësimin e ekonomisë, që po dëmton edhe kërkesën për naftë, dhe rritjes së prodhimit në SHBA.
Lidion Kulla/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.