Nafta shfaqet e qëndrueshme – Ngadalësimi i ekonomisë globale, presion mbi çmimet
Çmimet e naftës po ndryshojnë minimalisht në sesionin e parë të kësaj jave. Në njërën anë, çmimet po gjenden nën presion për shkak të shenjave të tjera për ngadalësimin e ekonomisë globale, ndërsa në anën tjetër çmimet po mbështeten nga marrëveshja e OPEC dhe Rusisë për të ulur prodhimin dhe nga sanksionet amerikane ndaj Iranit dhe Venezuelës. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 67 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet pranë 58.3 dollarëve për fuçi.
Analistët shprehen se rreziku kryesor për tregun e naftës është dobësimi i kërkesës, si pasojë e ngadalësimit të ekonomisë globale. Megjithatë, gjatë këtij viti parashikohet që kërkesa globale të rritet me rreth 1.3 milionë fuçi në ditë. Prodhimi i manifakturës në SHBA ra për të dytin muaj me radhë gjatë shkurtit, një shenjë se ekonomia më e madhe në botë, po ngadalësohet në tremujorin e parë të këtij viti. Edhe në Japoni, eksportet ranë për të tretin muaj me radhë, gjatë shkurtit, që sugjeron se ngadalësimi i Kinës është përhapur në të gjithë rajonin aziatik.
Por, pavarësisht kësaj, çmimet e naftës janë rritur me rreth ¼ që nga fillimi i këtij viti, kryesisht si pasojë e sanksioneve të SHBA ndaj Iranit dhe Venezuelës dhe marrëveshjes së OPEC+ për të ulur prodhimin me 1.2 milionë fuçi në ditë. Një faktor kyç për balancimin e kërkesës dhe ofertës do të jetë SHBA, ku prodhimi i naftës bruto është rritur me rreth 2 milionë fuçi në ditë, gjatë vitit të kaluar, dhe aktualisht gjenden në rreth 12 milionë fuçi në ditë.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.