Nafta tregtohet e qëndrueshme – Investitorët presin takimin e G20 dhe të OPEC
Çmimet e naftës po shfaqen të qendrueshme në sesionin e sotëm. Në njërën anë, çmimet po gjenden nën presion për shkak të rritjes së prodhimit nga Arabia Saudite në nivele rekord, ndërsa po mbështeten nga pritshmëritë se, prodhuesit e naftës do të bien dakord për të ulur prodhimin, në takimin e javës së ardhshme. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 60.5 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 51.6 dollarë për fuçi.
Çmimet e naftës kanë humbur më shumë se 1/3 e vlerës, që nga fillimi i tetorit, për shkak të rritjes së prodhimit, rënies së kërkesës dhe tensionit në tregjet e akssioneve. Arabia Saudite e rriti prodhimin në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, gjatë nëntorit, në 11.3 milionë fuçi në ditë. Por, paralelisht, Mbretëria po përpiqet të bindë vendet e tjera të OPEC dhe Rusinë, se është e nevojshme një ulje e prodhimit me rreth 1.4 milionë fuçi në ditë, për të parandaluar një rënie të mëtejshme të çmimeve.
Gjithashtu, investitorët janë në pritje të takimit të G20, që zhvillohet në fundjavë. Liderët e 20 ekonomive më të mëdha në botë, do të takohen më 31 nëntor dhe 1 dhjetor në Argjentinë, me luftën tregtare mes SHBA dhe Kinës, që pritet të dominojë axhendën. Në anën tjetër, OPEC dhe prodhuesit e tjerë do të takohen në Vjenë në datën 6 dhjetor. Presidenti amerikan, Donald Trump e ka rritur presionin ndaj Arabisë Saudite për të mos ulur prodhimin, por shumica e analistëve presin që OPEC të bëjë të kundërtën.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.