Nafta tregtohet e qëndrueshme/ OPEC+ mund të mos rrisë prodhimin në terma afatshkurtër

Nafta po tregtohet e qëndrueshme në sesionin e sotëm, ndërsa investitorët parashikojnë se prodhuesit kryesorë nuk do të rrisin prodhimin në terma afatshkurtër, për shkak të shqetësimeve për ngadalësimin e ekonomisë globale. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 69.5 dollarë për fuçi, ndërsa në sesionin e kaluar ra me 1.5%.
Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 67 dollarë për fuçi, pas humbjeve prej 1.7% një ditë më parë. Sipas burimeve të Reuters, OPEC dhe aleatët e tjerë me në krye Rusinë, besojnë se tregu i naftës nuk ka nevojë për furnizim shtesë në muajt në vijim, pavarësisht presionit nga SHBA për të rritur prodhimin, në mënyrë që të parandalohet një rritje e çmimeve.
Javën e kaluar, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, i bëri thirrje grupit të vendeve prodhuese që të rrisin prodhimin, për të shmangur një rritje të çmimeve, që mund të kërcënojë rimëkëmbjen e ekonomisë globale.
Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara prodhimi i naftës argjilore parashikohet të rritet në 8.1 milionë fuçi në ditë, gjatë shtatorit, niveli më i lartë që nga maji i vitit 2020, referuar të dhënave të Administratës për Informimin mbi Energjinë. Shqetësimet për një kërkesë më të dobët nga Kina, që është importuesit më i madh i naftës në botë, u konfirmuan nga të dhënat që treguan se përpunimi i naftës ra në nivelin më të ulët që nga maji i vitit 2020.
Gjatë javës së kaluar, ndërkohë, fondet e investimeve shitën kontratat e naftës, për shkak të rritjes së infektimeve me Covid-19 në Europë, Kinë dhe SHBA.
Klevis Llaha/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.