Nafta tregtohet e qëndrueshme / OPEC+ shtyn takimin për të premten, Emiratet kundërshtojnë planin

Nafta po shfaqet e qëndrueshme në sesionin e sotëm, pasi ministrat e OPEC+ shtynë takimin ku do të përcaktoheshin politikat e prodhimit, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe bllokuan planin për të rritur prodhimin edhe me 2 milionë fuçi shtesë në ditë, në gjysmën e dytë të këtij viti. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 75.2 dollarë për fuçi, ndërsa në sesionin e kaluar u rrit me 2.4%. nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 75.8 dollarë për fuçi, pas rritjes me 1.6% një ditë më parë. Të dy bençmarkët publikuar fitime të konsiderueshme dhe u mbështetën nga plani i Arabisë Saudite dhe Rusisë për të rritur prodhimin edhe me 400 mijë fuçi, duke filluar nga gushti deri në dhjetor, një shifër më e kujdesshme se parashikimet e analistëve. Por, më pas çmimet u tërhoqën pasi Emiratet e Bashkuara Arabe e kundërshtuan planin duke kërkuar shtyrje të takimin në ditën e premte. Në mbyllje të sesionin të sotëm, nafta Bruto amerikane pritet të publikojë fitime prej 1.6%, ndërsa nafta Brent e Londrës pritet të publikojë rënie të lehtë prej 0.5%. Gjithashtu, bie në sy ngushtimi i diferencës së çmimeve mes dy bençmarkëve kryesorë poshtë 1 dollar.
Lidion Kulla – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.