Nafta tregtohet e qëndrueshme – Optimizëm për uljen e tensioneve tregtare SHBA-Kinë

Nafta po shfaqet e qëndrueshme gjatë sesionit të sotëm, pasi është zbehur disi tensioni tregtar mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Uashingtoni deklaroi zyrtarisht se do të shtyjnë lejen për kompaninë kineze, Huawei, për të blerë pajisje nga kompanitë amerikane.
Çmimet e naftës po qëndrojnë në rritje të lehtë, gjatë sesionit të sotëm, për shkak të optimizmit se tensionet tregtare SHBA-Kinë do të zbehen së shpejti. Gjithashtu, edhe pritshmëritë se ekonomitë më të mëdha do të ndërmarrin stimuj për të parandaluar ngadalësimin kanë ofruar mbështetje për çmimet.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 60 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 56.4 dollarë për fuçi. Shtetet e Bashkuara deklaruan zyrtarisht se do të shtyjnë lejën për kompaninë kineze, Huawei, për të blerë pajisje nga kompanitë amerikane, një shenjë e zbutjes së konfliktit tregtar mes dy ekonomive më të mëdha në botë.
Gjatë muajve të fundit, shqetësimet për përshkallëzimin e luftës tregtare kanë dëmtuar besimin e investitorëve. Çmimet e naftës janë gjetur edhe një mbështetje nga pritshmëritë se ekonomia globale do të ketë stimuj shtesë, për të shmangur një ngadalësim të mëtejshëm.
Banka Qendrore e Kinës njoftoi disa politika që synojnë uljen e kostos së huamarrjes për korporatat, ndërsa qeveria gjermane deklaroi se është e gatshme të marrë borxh të ri për të shmangur një recesion të mundshëm. Megjithatë, çmimet gjenden nën presion pasi Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës ka shprehur shqetësime për rritjen e kërkesës gjatë këtij viti.
Investitorët janë të fokusuar edhe te tensionet në Lindjen e Mesme, pasi Shtetet e Bashkuara e quajtën lirimin e një anije cisternë iraniane për të ardhur keq dhe paralajmëruar Greqinë dhe portet e tjera të Mesdheut se do të përballen me pasoja nëse e ndihmojnë këtë anije.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.