Nafta tregtohet e qendrueshme – Rezervat në SHBA rriten me 7.2 mln fuçi, prodhimi në 12.2 mln fuçi
Çmimet e naftës po shfaqen të qendrueshëm në sesionin e sotëm, por po gjenden nën presion për shkak të të dhënave në SHBA që treguan një rritje surprizë të rezervave gjatë javës së kaluar dhe prodhimit rekord. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 69.4 dollarë për fuçi, ndërsa nafta bruto amerikane po tregtohet në rreth 62.6 dollarë për fuçi. Megjithatë, gjatë këtij viti, nafta Brent e Londrës është rritur me rreth 30%, ndërsa nafta Bruto amerikane është rritur me rreth 40%.
Në anën tjetër, çmimet po kufizohen nga të dhënat pozitive të publikuara në SHBA dhe në Kinë dhe nga pritshmëritë se, dy ekonomitë më të mëdha në botë do të arrijnë një marrëveshje mbi tregtinë. Bisedimet mes Uashingtonit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë bërë progres gjatë javës së kaluar dhe sipas këshilltarit ekonomik të Shtëpisë së Bardhë, Larry Kudloë, së shpejti do të zgjidhet edhe ndasitë e vogla që ekzistojnë mes palëve.
Një mbështetje konstante, ndërkohë, nafta po e gjen nga marrëveshja e OPEC dhe Rusisë për të ulur prodhimin me 1.2 milionë fuçi në ditë. Referuar të dhënave të publikuara në SHBA, rezervat e naftës u rritën me 7.2 milionë fuçi, gjatë javës së kaluar, njoftoi Administrata për Informimin mbi Energjinë. Analistët parashikonin një rënie të rezervave me 425 mijë fuçi. Gjithashtu, prodhimi u rrit me 100 mijë fuçi në ditë, në një rekord të ri prej 12.2 milionë fuçi në ditë.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.