Nafta tregtohet e qëndrueshme – Rikthehet shpresat për marrëveshje tregtare SHBA-Kinë
Nafta po shfaqet e qëndrueshme në sesionin e sotëm, për shkak të të dhënave në SHBA që sugjerojnë një rënie më të vogël se parashikimet të rezervave gjatë javës së kaluar. Gjithashtu, edhe shpresat për një marrëveshje SHBA-Kinë mbi tregtinë kanë ofruar mbështetje për çmimet.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet pranë 62 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 53.8 dollarë për fuçi. Në sesionin e kaluar, ndërkohë, dy bençmarkët kryesorë publikuan fitimet më të mëdha ditore që nga fillimi i janarit. Sipas të dhënave të Institutit Amerikan të Naftës rezervat gjatë javës së kaluar ranë me 812 mijë fuçi, ndërsa analistët parashikonin një rënie me 1.1 milionë fuçi. Megjithatë, investitorët po presin të dhënat që publikohen më vonë gjatë ditës së sotme nga administrata amerikane.
Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se kanë filluar përgatitjet për tu takuar me Presidentin e Kinës, Xi Jinping, javën e ardhshme në samitin e G20 në Osaka të Japonisë. Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës dështuan muajin e kaluar, pasi Uashingoni akuzoi Pekinin se u largua nga angazhimet e mëparshme. Që nga ajo kohë, Trump ka kërcënuar vazhdimisht me vendosjen e tarifave ndaj produkteve kineze të importit.
Gjithashtu, një mbështetje për tregjet e ka ofruar edhe Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, i cili sinjalizoi se banka do të lehtësojnë më tej politikat monetare, nëse inflacioni nuk rritet sipas pritshmërive. Në fokus të tregjeve është edhe situata në Lindjen e Mesme, pasi tensioni mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit është rritur ndjeshëm, pas sulmeve të javës së kaluar ndaj anijeve çisterenë në Gjirin e Omanit.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.