Nafta tregtohet e qëndrueshme – Të martën preku nivelin më të ulët në 14 muaj
Çmimet e naftës po shfaqen të qëndrueshëm në sesionin e sotëm, pas humbjeve më të mëdha ditore për këtë vit, në sesionin e kaluar. Megjithatë, çmimet vijojnë të gjenden nën presion, për shkak të shqetësimeve që kanë të bëjnë me mbifurnizimin e tregut dhe me ngadalësimin e ekonomisë globale.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 56.7 dollarë për fuçi, pas rënies me 5.6% në sesionin e kaluar. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 46.5 dollarë për fuçi, ndërsa në sesionin e kaluar ra me 7.3%.
Të dy bençmarkët po tregtohen në nivelin më të ulët që nga gushti i vitit 2017. Investitorët janë të shqetësuar për rritjen e prodhimit në Lindjen e Mesme, Rusi dhe SHBA, që po ndikon edhe në rritjen e rezervave globale të naftës.
Në treg ka shqetësime se, rritja e normave të interesit nga Rezerva Federale, më vonë gjatë ditës së sotme do të ngadalësojë rritjen ekonomike në SHBA.
Në anën tjetër, qeveria amerikane deklaroi se, vetëm prodhimi i naftës argjilore në vend do të rritet në mbi 8 milionë fuçi në ditë, deri në fund të dhjetorit.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.