Nafta tregtohet në luhatje – Investitorët përqendrohen tek bisedimet SHBA-Iran dhe oferta e tkurrur!

Çmimet e naftës janë tregtuar në luhatje në sesionin tregtar të së hënës, me disa investitorë që kanë mbyllur pozicionet për të marrë fitimet, pas shenjave të progresit të negociatave për paktin bërthamor të Iranit me SHBA. Nafta Brent, çmimi referencë në bursën e Londrës tregtohej në 93.25 dollarë për fuçi, në rënie me vetëm 2 cent, pasi preku më herët gjatë tregtisë nivelin më të lartë që prej 3 Tetorit 2014 prej 94 dollarë. Nafta bruto amerikane ra me 0.5% në 91.84 dollarë për fuçi, pasi preku 92.73 dollarë më herët gjatë tregtisë.
Të dy çmimet referencë shtuan 2 dollarë ditën e Premte, duke zgjeruar rritjen për të shtatën javë radhazi, prej shqetësimeve mbi ndërprerjet të nxitura nga trazirat tek prodhuesit kryesor të naftës. Administrata e Presidentit Joe Biden në SHBA, hoqi disa sanksione ndaj Iranit, për të lejuar bashkëpunim ndërkombëtar, ndërkohë që bisedimet për paktin bërthamor të vendit kanë hyrë në fazën përfundimtare. Nëse SHBA heq sanksionet ndaj Iranit, vendi mund të rrisë dërgesat, duke rritur ofertën botërore dhe ulur çmimet.
Çmimet e naftës, që janë rritur me 20% deri më tani për vitin, pritet të kalojnë 100 dollarë për fuçi, për shkak të kërkesës së fortë botërore. Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe vendet aleate të drejtuara nga Rusia, që njihen si OPEC +, po hasin vështirësi për të arritur objektivat e rritjes së prodhimit. Në SHBA, pavarësisht se numri i puseve të naftës është rritur me një rekord prej 18 muaj radhazi, prodhimi është ende larg niveleve të para-pandemisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.