Nafta tregtohet në rënie – Çmimet, mes presioneve nga pakti i Iranit dhe mbështetjes nga kriza në Ukrainë

Çmimet e naftës ranë në tregtinë e së Enjtes, ndërkohë që bisedimet për të rikthyer paktin bërthamor me Iranin hynë në fazën përfundimtare, pavarësisht se humbjet u limituan prej rritjes së tensioneve mes Rusisë dhe Perëndimit. Nafta Brent, çmimi referencë në bursën e Londrës, ra me 1.3% në 93.55 dollarë për fuçi, ndërsa nafta bruto amerikane humbi 1.4% në 92.32 dollarë.
Të dy kontratat ranë me mbi 2% më herët gjatë tregtisë. Analistët thonë se tregu i naftës ndodhet mes humbjeve nëse hiqen sanksionet e naftës së Iranit dhe fitimeve prej tensioneve Rusi-Ukrainë. Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se SHBA ndodhen në fazën finale të bisedimeve indirekte me Iranin, që synojnë shpëtimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, që limiton aktivitetet e Teheranit.
Vendimi për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore, sipas Francës, është pak ditë larg dhe i takon Teheranit të bëjë zgjedhjen politike, pavarësisht se vendi i bëri thirrje fuqive perëndimore që të jenë realiste. Me një marrëveshje të re në horizont , Korea e Jugut deklaroi ditën e Mërkurë se ka biseduar për të rinisur importin e naftës nga Irani dhe të riaktivizojë fondet e vendit.
Korea e Jugut ka qenë një nga blerësit kryesor të naftës iraniane në Azi. Megjithatë, tensionet e vazhdueshme mbi një pushtim të mundshëm rus në Ukrainë, vazhdojnë të mbështesin tregun, për arsye të ndërprerjeve të furnizimeve me energji. Rebelët rus në lindje të Ukrainës thanë se forcat ushtarake të Kievit kanë përdorur mortaja për të sulmuar territorin e tyre, në shkelje të marrëveshjes që synon shmangien e konfliktit, sipas agjencisë shtetërore të Rusisë. Lajmërimi i Rusisë për tërheqje të pjesshme të trupave nga kufiri me Ukrainën këtë javë u prit me skepticizëm nga perëndimi, që paralajmëroi se vendi po mbledh më shumë trupa.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.