Nafta tregtohet në rënie – Ndikon anulimi i fluturimeve për Krishtlindje si pasojë e rritjes së Covid-19
Nafta u tregtua në rënie në sesionin e parë të Javës, pasi linjat ajrore anuluan mijëra fluturime në Shtetet e Bashkuara gjatë fundjavës së Krishtlindjeve, për shkak të rritjes së infeksioneve me Covid-19. Nafta bruto amerikane ra me 1.3% në 72.82 dollarë për fuçi, pasi tregtia u mbyll ditën e Premte.
Nafta Brent e Londrës ra me 0.3% në 75.9 dollarë për fuçi. Të dy çmimet referencë u rritën me 3-4% në javën e kaluar, pasi të dhënat fillestare treguan se varianti Omicron mund të shkaktojë një sëmundje më pak të ashpër. Megjithatë, transmetueshmëria e lartë po bën që rastet me Covid-19 të rriten në të gjithë botën. Në 3 ditët e fundit, miëjra pasagjerë kanë ngelur pa udhëtuar pasi u anuluan fluturimet prej mungesës së stafit të linjave ajrore si pasojë e Covid-19.
Analistët thonë se më pak fluturime nënkuptojnë më pak aktivitet ekonomik dhe çmime më të ulëta të naftës amerikane. Në Europë, çmimet e gazit natyror prekën nivel rekord të lartë javën e kaluar, prej furnizimeve të pakta, ç’ka i dha një mbështetje çmimeve të naftës Brent. Presidenti rus Vladimir Putin tha të Premten e kaluar se BE duhet të fajësojë politikat e veta për çmimet e larta të gazit, duke shtuar se disa vende anëtare rishesin gazin rus me çmim më të shtrenjtë brenda bllokut. Investitorët po presin takimin e OPEC më datë 4 janar, ku do vendoset nëse do të mbahet premtimi për të rritur prodhimin me 400,000 fuçi në ditë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.