Nafta vazhdon qendrueshmërinë – Analistët paralajmërojnë për luhatje të mëdha në vijim

Nafta po ndryshon minimalisht edhe në sesionin e fundit të kësaj jave, ndërsa tendenca është në rritje të lehtë për shkak se OPEC dhe vendet e tjera vazhdojnë ti përmbahen marrëveshjes së uljes së prodhimit.
Gjithashtu ka pritshmëri të larta se, në takimin e 30 nëntorit, OPEC, Rusia dhe 9 vende të tjera prodhuese do të vendosin të shtyjnë marrëveshjen për uljen e prodhimit përtej marsit të vitit të ardhshëm. Nafta Brent e Londrës po tregtohet pranë 64.2 dollarëve për fuçi dhe po qendron ranë nivelit më të lartë në 2 vitet e fundit. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 57.1 dollarë për fuçi.
Çmimet e larta janë rezultat i përpjekjeve të OPEC dhe vendeve të tjera për të balancuar raportin kërkesë-ofertë dhe për të ulur rezervat globale të naftës. Në ditën e sotme, mediat në Arabinë Saudite cituan ministrin e energjisë së këtij vendi, i cili tha se prodhuesit nuk do të kenë vështirësi për të shtyrë marrëveshjen për uljen e prodhimit.
Në sesionin e sotëm, çmimet gjetën një mbështetje edhe nga kërkesa e fortë në juglindje të Azisë, ku numri i tankerave të naftës në Singapor dhe Malajzi është dyfishuar që nga muaji qershor. Megjithatë, analistët, duke ju referuar analizave teknike paralajmërojnë se, tregu mund të përballet me luhatje të mëdha.
Banka Goldman Sachs paralajëmroi për paqendrueshmëri të mëdha për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme, sidomos mess vendeve anëtare të OPEC, Arabisë Saudite dhe Iranit, por edhe nga rritja e prodhimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.