Nafta vazhdon rritjen – OPEC nxit çmimet, marrëveshja vuloset më 25 maj
Çmimet e naftës kanë vijuar edhe gjatë sesionit të sotëm trendin rritës, duke marrë shtysë nga deklaratat e Arabisë Saudite dhe Rusisë për një shtyrje të marrëveshjes së shkurtimit të prodhimit me 9 muaj, deri në Mars të vitit të ardhshëm.
Në çelje të sesionit të sotëm, nafta Brent e Londrës kuotohej pranë nivelit të 52.08 dollarëve për fuçi, ndërsa ajo bruto amerikane pranë 49.10 dollarëve për fuçi.
Pavarësisht deklaratave të sauditëve dhe të Moskës zyrtare, ende nuk është vulosur asnjë marrëveshje. 12 vendet e tjera të OPEC duhet të dakordësohen mbi këtë çështje gjatë takimit të 25 majit.
Pjesa dërrmuese e vendeve anëtare të organizatës së vendeve eksportuese janë në favor të shtyrjes së marrëveshjes, por nga ana tjetër ka edhe vende që e kundërshtojnë.
Një marrëveshje e mundshme do të gjeneronte një marshim të ri të çmimeve, ndoshta edhe pranë niveleve të reja rekord.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.