Nafta vijon rënien – Publikon humbje për të katërtin sesion me radhë

Çmimet e naftës po qendrojnë në rënie të lehtë në sesionin e sotëm, duke publikuar humbje për të katërtin sesion me radhë. Tregu i naftës ka ndjekur tendencën në rënie të bursave aziatike, që janë karakterizuar sërish nga shitje masive të aksioneve. Investitorët janë të shqetësuar se, vendosja e tarifave të importit të çelikut dhe aluminit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të shkaktojë një luftë tregtare.
Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se do të vendosë tarifa të larta për këto dy metale, për të mbrojtur prodhuesit amerikanë, duke rikthyer frikën për një luftë tregtare me rajonet kryesore të botës, Kinën, Europën dhe Kanadanë. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 63.8 dollarë për fuçi, pas rënies me 1.4% në sesionin e së enjtes, ndërsa përgjatë kësaj jave është në rënie me rreth 5%.
Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 60.8 dollarë për fuçi dhe gjatë kësaj jave pritet të publikojë humbje prej rreth 4%. Analistët mendojnë se, tregu po shfaq shenja të dobësimit, pavarësisht uljes së prodhimit nga OPEC. Referuar të dhënave, gjatë javës së kaluar, rezervat e naftës në SHBA u rritën me 3 milionë fuçi, ndërsa analistët parashikonin një rritje me 2.1 milionë fuçi.
Ndërkohë, në ditën e hënë Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës do të zhvillojë një takim në Houston me prodhuesit amerikanë të naftës argjilore, për të diskutuar mundësitë për të stabilizuar tregun global.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.