Nafta vijon rënien – Regjistron humbjet më të mëdha mujore që nga viti 2008
Çmimet e naftës po qendrojnë në rënie në sesionin e sotëm dhe pritet të publikojnë humbje prej 23%, përgjatë këtij muaji, rënia më e madhe mujore që nga kriza financiare e vitit 2008. Rritja e prodhimit në SHBA, pavarësisht angazhimit të OPEC për të shkurtuar ekssportet, pritet të ushtrojë presion mbi çmimet. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 58.1 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane ka rënë poshtë nivelit teknik prej 50 dollarë për fuçi dhe po tregtohet në rreth 49.8 dollarë për fuçi.
Presidenti rus, Vladimir Putin, vendi i të cilit është prodhuesi i dytë më i madh në botë, deklaroi se është në kontakte me OPEC dhe i gatshëm për të ulur prodhimin, nëse do të jetë e nevojshme. Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe vendet e tjera aleate, me në krye Rusinë, do të takohen javën e ardhshme në Vjenë, për të diskutuar një ulje të prodhimit me rreth 1.4 milionë fuçi në ditë.
Referuart të dhënave të publikuara në SHBA, rezervat e naftës prekën nivelin më të lartë në një vit, dhe tashmë gjenden 80 milionë fuçi poshtë nivelit më të lartë prej 535 milionë fuçi, të regjistruar në mars të 2017. Investitorët në tregun e lëndëve të para po presin edhe takimin e G20, që zhvillohet më 30 nëntor dhe 1 dhjetor, ku në fokus do të jetë lufta tregtare SHBA-Kinë.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.