Nafta vijon rënien – Rusia dhe Arabia mund të rrisin prodhimin me 1.5 mln fuçi
Çmimet e naftës po gjenden nën presion edhe në sesionin e sotëm, ndërsa investitorët janë në pritje të takimit të OPEC dhe Rusisë, që mblidhen në Vjenë javën e ardhshme.
Dy ndër prodhuesit më të mëdhenj të naftës, Arabia Saudite dhe Rusia kanë sinjalizuar se po përgatiten të rrisin prodhimin, për të kompensuar rënien e eksporteve nga Venezuela dhe Irani.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 75.1 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 66.7 dollarë për fuçi. Të dyja kontratat prekën nivelin më të lartë në 3 vite e gjysëm, gjatë muajin maj, por që nga ajo kohë kanë rënë ndjeshëm për shkak të rritjes së prodhimit të naftës argjilore në SHBA dhe pritshmërive se, edhe OPEC do të rrisë prodhimin.
Ministri rus i Energjisë, Alexander Novak dhe homologu i tij arab, ranë dakord në parim për rritjen e prodhimit, por nuk dhanë më shumë detaje. Gjithsesi, Novak sinjalizoi se mund të ketë një rritje graduale të prodhimin deri në 1.5 milionë fuçi, mbase duke filluar nga 1 korriku.
Në anën tjetër, Princi i Kurorës në Arabinë Saudite, Mohammed bin Salman i tha presidentit, Vladimir Putin, se dëshiron të vazhdojë bashkëpunimin Rusinë në tregun global të naftës.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.